Përditësimi i tarifave të hyrjes në Parkun Kombëtar të Butrintit

Butrinti është një trashëgimi e jashtëzakonshme, një vend ku historia, kultura dhe natyra bashkëjetojnë prej mijëra vjetësh. Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Butrintit, si dhe përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve për vizitorët, janë në qendër të angazhimit të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Në kuadër të këtij angazhimi, ju informojmë se nga data 1 janar 2027 do të hyjnë në fuqi tarifat e përditësuara të hyrjes në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Sipas tarifave të reja:
- Vizitorët individualë: 1,200 lekë (nga 1,000 lekë).
- Vizitat në grup: 1,000 lekë për person (nga 800 lekë).
Lehtësitë dhe kategoritë përfituese
Lehtësitë ekzistuese për kategoritë e veçanta të vizitorëve do të vijojnë të zbatohen.
Studentët, fëmijët e moshës 12–18 vjeç, fëmijët jetimë, personat me aftësi të kufizuara dhe pensionistët do të vazhdojnë të përfitojnë 50% ulje të tarifës së hyrjes, sipas kushteve përkatëse.
Gjithashtu:
- E diela e fundit e çdo muaji do të vijojë të jetë ditë hyrjeje falas për të gjithë shtetasit shqiptarë, gjatë gjithë vitit.
- Fëmijët e moshës 0–12 vjeç do të vijojnë të përfitojnë hyrje falas në Park.
Kontributi i vizitorëve në ruajtjen e Butrintit
Të ardhurat nga biletat e hyrjes përdoren drejtpërdrejt për mirëmbajtjen, konservimin dhe menaxhimin e integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit. Ato kontribuojnë në mbrojtjen e monumenteve, përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët, si dhe krijimin e mundësive të reja për përfshirjen e komunitetit lokal.
Ruajtja e Butrintit dhe e vlerave të tij për brezat e ardhshëm mbetet prioritet i Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. Çdo biletë hyrjeje përfaqëson një kontribut të drejtpërdrejtë në mbrojtjen dhe kujdesin e vazhdueshëm për këtë trashëgimi të çmuar.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe ju mirëpresim në Butrint!
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit



