Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit u themelua në kuadër të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, 2018 dhe në bazë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit datë 24.02.2021 lidhur midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Përmes formës së administrimit indirekt, Fondacioni synon gjithashtu ruajtjen dhe mbrojtjen e Pasurisë Kulturore, sigurimin e aksesit dhe shërbimet për publikun në të, promovimin e saj dhe aktivitetet studimore e kërkimore, si dhe përdorimin, qarkullimin dhe veprimtaritë arkeologjike të Pasurisë Kulturore, duke e menaxhuar dhe zhvilluar atë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke siguruar mjetet e nevojshme financiare dhe stafin e specializuar, me qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e saj për të gjithë kohëzgjatjen e administrimit indirekt.

Objekti kryesor i veprimtarisë së fondacionit do të fokusohet në:

  • Administrimi efikas sipas modelit që i përshtatet më mirë qëllimit për mbrojtjen dhe zhvillimin e Pasurisë Kulturore;

  • Menaxhimi i burimeve njerëzore, financiare dhe intelektuale me qëllim administrimin më të mirë të Pasurisë Kulturore;

  • Aktivitete të ruajtjes, mbrojtjes, konservimit, vlerësimit të Pasurisë Kulturore;

  • Kryerja e aktiviteteve social-kulturore me qëllim promovimin e Pasurisë Kulturore, traditave dhe kulturës lokale dhe më gjerë;

  • Kërkime arkeologjike dhe zbulimi në funksion të Pasurisë Kulturore dhe më gjerë;

  • Kërkime shkencore, konferenca, seminare në fushën e kërkimit, arkeologjisë ose trashëgimisë kulturore;

  • Organizimi i kurseve të trajnimit, seminareve, akordim i bursave, diskutime, konferencave dhe aktivitete edukative me qëllim rritjen e kapaciteteve njerëzore në funksion të zhvillimit të Pasurisë Kulturore;

  • Bashkëpunimi me institucione të ngjashme, brenda në Shqipëri dhe jashtë saj, me qëllim përmirësimin e efiçencës në aktivitetet e Fondacionit;

  • Publikime të materialeve të printuara dhe shpërndarjen e edicioneve elektronike;

  • Veprimtari që synojnë ngritje fondesh, të cilat do të përdoren për ruajtjen dhe zhvillimin e Pasurisë Kulturore si dhe për zhvillimin e burimeve njerëzore, intelektuale dhe financiare të Fondacionit;

  • Mbështetje dhe pjesëmarrje në zhvillimin e iniciativave ligjore në fushën e trashëgimisë kulturore;

  • Mbështetje dhe pjesëmarrje në zhvillimin e iniciativave lokale me qëllim zhvillimin e zonës;

  • Organizim dhe/ose pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme në nivel rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar me qëllim promovimin e Pasurisë Kulturore në veçanti dhe trashëgimisë kulturore në përgjithësi.