Kjo faqe është e dedikuar vetëm për aplikimin e granteve të hapur në Fondacionin e Menaxhimit të Butrintit.

Grante në BMF

Aktualisht Hapur

Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit (FMB) hap thirrjen për Programin e Bursave Studentore për Kërkim Shkencor mbi Butrintin, me synim mbështetjen e punës kërkimore akademike që ka në fokus të drejtpërdrejtë Parkun Kombëtar të Butrintit.

Programi u drejtohet studentëve të vitit të dytë të ciklit Master i Shkencave, të cilët synojnë të zhvillojnë kërkime që kontribuojnë në zgjerimin e njohurive, studimin dhe menaxhimin e vlerave të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Kriteret kualifikuese

Aplikimi vijon në fazën e vlerësimit vetëm nëse plotësohen të gjitha kriteret e mëposhtme. Mospërmbushja qoftë edhe e njërit prej tyre sjell përjashtimin nga vlerësimi i mëtejshëm.

  • Aplikanti është shtetas shqiptar dhe është i regjistruar në vitin e dytë të një programi të akredituar të ciklit Master i Shkencave, në një institucion të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.
  • Ka përfunduar studimet e ciklit të parë Bachelor, me notë mesatare jo më të ulët se 8,0, ose prag të barasvlershëm sipas sistemit të vlerësimit të institucionit përkatës.
  • Tema ose propozimi kërkimor ka Parkun Kombëtar të Butrintit si fokus të drejtpërdrejtë dhe lidhet me të paktën një nga fushat prioritare të programit.
  • Aplikimi dorëzohet i plotë, brenda afatit dhe sipas mënyrës dhe formatit të përcaktuar në thirrje dhe në udhëzimet përkatëse.
  • Dokumentohet njohja e gjuhës angleze të paktën në nivelin B1.
  • Aplikanti nuk përfiton bursë tjetër për të njëjtin cikël studimi dhe për të njëjtat shpenzime.
  • Aplikanti nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër që cenon integritetin e procesit ose përdorimin e fondeve.

Fushat prioritare

Propozimet kërkimore duhet të lidhen me të paktën një nga fushat e mëposhtme: Arkeologji, Histori, Gjeologji, Ekonomi, Inxhinieri, Ekologji, Bujqësi, Menaxhim i trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, si dhe Menaxhim i vizitorëve.

Financimi

Buxheti vjetor i programit është deri në 15,000 USD, ndërsa një student mund të kërkojë financim deri në 2,500 USD.

Shuma e miratuar përcaktohet në bazë të buxhetit të arsyetuar, renditjes përfundimtare dhe fondeve të disponueshme. Bursa është e vlefshme për një periudhë 12-mujore nga data e shpalljes së fituesit.

Financohen vetëm shpenzimet e miratuara, të kryera gjatë periudhës së marrëveshjes dhe të lidhura drejtpërdrejt me kërkimin, përfshirë: shpenzime të drejtpërdrejta kërkimore; libra dhe materiale; pjesëmarrje në konferenca ose aktivitete shkencore; abonime në biblioteka ose burime digjitale; si dhe transport.

Shpenzimet e transportit nuk mund të tejkalojnë 20% të shumës totale të kërkuar.


Dokumentet e aplikimit

Aplikimi duhet të përmbajë:

  1. Formularin e aplikimit, të plotësuar sipas Aneksit 1;
  2. CV të përditësuar;
  3. Kopje të pasaportës ose kartës së identitetit;
  4. Kopje të diplomës dhe listës së notave të ciklit Bachelor;
  5. Vërtetim dhe listë notash për vitin e parë të ciklit Master i Shkencave;
  6. Certifikatë të gjuhës angleze, të paktën të nivelit B1;
  7. Letër motivimi që shpjegon qartë interesin akademik, lidhjen me Butrintin dhe angazhimin për përfundimin e punës kërkimore;
  8. Dy letra reference nga dy anëtarë të stafit akademik, njëra prej të cilave nga udhëheqësi shkencor, të cilët e njohin kandidatin mjaftueshëm për të vlerësuar aftësitë, angazhimin dhe potencialin e tij akademik ose profesional;
  9. Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
  10. Plan financiar ose buxhet të parashikuar, të ndarë sipas kategorive të shpenzimeve për të cilat kërkohet mbështetje nga FMB-ja;
  11. Propozim kërkimor që ka Parkun Kombëtar të Butrintit si fokus të drejtpërdrejtë dhe lidhet me të paktën një nga fushat prioritare.

Formularët duhet të plotësohen pa hequr, zëvendësuar ose ndryshuar asnjë seksion; lejohen vetëm shtimi i rreshtave dhe hapësirës së nevojshme.

Kandidati fitues duhet të dorëzojë të noterizuara diplomën, listat e notave dhe certifikatën e gjuhës angleze përpara nënshkrimit të marrëveshjes.

Mënyra e dorëzimit

Aplikimi konsiderohet i dorëzuar plotësisht vetëm kur, brenda afatit të përcaktuar, plotësohen të dy kushtet:

  1. Dokumentacioni i skanuar është dërguar në adresën elektronike sekretaria.teknike_brg@bmf.al;
  2. Kopja fizike është dërguar me postë dhe mban vulë postare brenda të njëjtit afat.

Adresa postare:
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit
Parku Kombëtar i Butrintit
Rr. SH81, Ksamil, Sarandë, Shqipëri

Aplikanti duhet të njoftojë FMB-në me email për dërgesën dhe të ruajë dëshminë e postimit.

Dërgesat me vulë postare pas përfundimit të afatit nuk pranohen. Kopja fizike me vulë postare brenda afatit mund të mbërrijë pas mbylljes së thirrjes vetëm nëse kopja elektronike është dorëzuar në kohë.

Afati i fundit për aplikim: 4 dhjetor 2026 | Ora: 16:00

Dokumentet për shkarkim

Për t’u njohur me të gjitha kërkesat dhe për të përgatitur aplikimin, kandidatët mund të shkarkojnë dokumentet e mëposhtme:

Për pyetje ose paqartësi në lidhje me procesin e aplikimit, mund të kontaktoni në adresën: sekretaria.teknike_brg@bmf.al

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit (BMF) hapin thirrjen për aplikime në kuadër të Skemës së Granteve për Komunitetin Butrint.

Kjo skemë synon të mbështesë individë, biznese lokale dhe organizata jofitimprurëse që dëshirojnë të zhvillojnë ide, investime dhe aktivitete të lidhura me Parkun Kombëtar të Butrintit dhe komunitetin përreth tij.

Periudha e aplikimit: 16 korrik – 15 tetor 2026
Afati i fundit: 15 tetor 2026, ora 16:00
Financimi: Grante deri në 20,000 USD


Kush mund të aplikojë?

INDIVIDË

Mund të aplikojnë individë që kanë një ide ose aktivitet konkret të lidhur me zonën dhe fushat që mbështet skema.

Individët mund ta dorëzojnë aplikimin pa qenë të regjistruar paraprakisht si biznes. Megjithatë, nëse shpallen fitues, duhet të regjistrohen të paktën si biznes i vogël pas njoftimit të përzgjedhjes.

BIZNESE LOKALE

Mund të aplikojnë biznese lokale që ushtrojnë ose synojnë të zhvillojnë një aktivitet të lidhur me territorin, komunitetin dhe zhvillimin e zonës së Butrintit.

ORGANIZATA JOFITIMPRURËSE

Mund të aplikojnë organizatat jofitimprurëse që zhvillojnë aktivitete në territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit ose në mbështetje të komunitetit të tij.

Çdo kategori aplikuesish duhet të shkarkojë dhe të plotësojë paketën përkatëse të aplikimit.


Zonat që përfshihen në thirrje

Thirrja u drejtohet aplikuesve me vendndodhje në territorin e:

  • Vrinës;
  • Shëndëllisë;
  • Xarrës;
  • Çiflikut;
  • Mursisë;
  • zonave të tjera rurale në kufi me Parkun Kombëtar të Butrintit.

Këto zona janë identifikuar si prioritare për zhvillimin ekonomik, social dhe turistik në Planin e Menaxhimit të Integruar.

Një hartë e zonave të përfshira i bashkëlidhet kësaj thirrjeje.


Çfarë lloj idesh mbështeten?

Skema mbështet aktivitete dhe iniciativa që lidhen me:

  • artizanatin;
  • bujqësinë dhe blegtorinë;
  • produktet lokale;
  • akomodimin;
  • gastronominë tradicionale;
  • guidat turistike;
  • kulturën;
  • shërbimet;
  • nismat komunitare.

Çfarë përfshin financimi?

Nëpërmjet kësaj skeme mund të financohen:

  • blerja e makinerive dhe pajisjeve;
  • blerja e mobilimeve për qëllime biznesi;
  • përmirësimi i ambienteve;
  • sinjalistika dhe gjelbërimi;
  • organizimi i aktiviteteve kulturore dhe promovuese;
  • aktivitete trajnuese dhe përfaqësuese;
  • mbështetja për qiranë e ambienteve të biznesit, në raste të caktuara.

Skema është bashkëfinancuese: aplikuesi kontribuon financiarisht në projekt, ndërsa granti mbështet pjesën tjetër të investimit.


Sa është financimi?

AADF mbështet aplikuesit me grante deri në 20,000 USD, në varësi të llojit të investimit, buxhetit dhe kategorisë së aplikimit.

Një aplikues mund të përfitojë vetëm një grant brenda thirrjeve të kësaj skeme.


Si aplikohet?

  1. Shkarkoni paketën e aplikimit sipas kategorisë: Individ, Biznes ose OJF.
  2. Përgatitni dokumentacionin e nevojshëm.
  3. Plotësoni formularin e aplikimit.
  4. Bashkëngjitni dokumentet e kërkuara.
  5. Dorëzoni dosjen e plotë pranë BMF-së brenda afatit të përcaktuar.

Informim dhe asistencë për aplikuesit

Gjatë periudhës së thirrjes, BMF do të organizojë sesione të hapura informimi, ku aplikuesit e interesuar mund të marrin pjesë dhe të njihen më hollësisht me procedurat dhe kriteret e aplikimit.

BMF ka gjithashtu një specialist të dedikuar për t’iu përgjigjur pyetjeve të aplikuesve dhe për të ofruar informacion edhe në terren.

E-mail: info@bmf.al
WhatsApp: +355 69 702 7379

Afati i fundit për aplikim: 15 tetor 2026, ora 16:00.


Shkarkoni dokumentet e mëposhtme

Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit (FMB) ka hapur thirrjen për aplikim për grante në mbështetje të projekteve kërkimore dhe akademike që lidhen me nënzonat e Trashëgimisë Kulturore dhe Peizazhit Kulturor të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Afati i fundit i pranimit të aplikimeve shtyhet deri më 31 Maj 2026.

Kush mund të aplikojë?

  • Institucione të Arsimit të Lartë
  • Institucione kërkimore shkencore publike dhe jopublike që kanë për objekt të veprimtarisë kërkimin shkencor;
  • Studiues individualë pjesë e institucioneve kërkimore

Fushat prioritare

Skema e granteve do të financojë kërkime në fusha prioritare si më poshtë:

  • Arkeologji
  • Histori
  • Gjeologji
  • Ekonomi
  • Inxhinieri 
  • Ekologji
  • Bujqësi
  • Menaxhimi i Trashëgimisë
  • Menaxhimi i Vizitorëve

Informacioni mbi Grantin

FMB mbështet projekte kërkimore shkencore dhe akademike me një Fond total të financimit deri në 30,000 USD.

Aplikimi duhet të përfshijë dokumentacionin e mëposhtëm:
  1. Formulari i aplikimit i plotësuar sipas Aneksit 1;
  2. Buxheti i Propozimit financiar i plotësuar sipas Aneksit 2;
  3. Letër prezantuese e projektit të propozuar e nënshkruar nga titullari i institucionit;
  4. Curiculum Vitae për personelin shkencor dhe akademik;
  5. Kushtet e përgjithshme të grantit sipas Aneksit 3;
  6. Deklaratë e Angazhimit të personelit akademik/shkencor;
  7. Kopje të statutit apo ekstraktit ku përcaktohet se aplikuesi ka në fokus të veprimtarisë së tij kërkimin shkencor ose akademik në fushën e projekt-propozimit;
  8. Marrëveshje Bashkëpunimi në rastin kur projekti përfshin disa institucione partnere.
Dorëzimi i Aplikimeve do të bëhet me postë dhe email:

Me postë në adresën:
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit,
Parku Kombëtar i Butrintit,
Rr. SH81, Ksamil, Sarandë

dhe me email në:
sekretaria.teknike_brg@bmf.al

Në dokumentacionin e mëposhtëm do të gjeni udhëzimet për aplikim për Grant

Për çdo pyetje apo informacion të mëtejshëm lidhur me këtë thirrje, ju lutem të na kontaktoni në adresën sekretaria.teknike_brg@bmf.al