Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit mbështetet me Grantin prestigjoz “Expandere Conscientiae Lumen”

Së shpejti nisim punën për projektin “Sistemimi i zonës, mbulimi me dhera sterile dhe konservimi i rrënojave të Forumit Romak”. Sot, këto rrënoja ndodhen mes një bimësie të dendur që rrezikon dëmtimin dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Ky projekt realizohet nga Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit, falë mbështetjes dhe grantit “Expandere Conscientiae Lumen” nga Ancient Rome Live dhe The Musk Foundation. Synimi ynë është i qartë: të ndalim degradimin e kësaj pasurie arkeologjike nga faktorët natyrorë dhe koha.
Përmes kësaj ndërhyrjeje, do të mbulojmë gërmimet e hapura me dhera sterile dhe do të konsolidojmë strukturat antike. Por lajmi më i mirë është se, pas përfundimit, Forumi Romak do t’i shtohet për herë të parë itinerarit të vizitave!
Vazhdojmë punën me përkushtim për të ruajtur zemrën e qytetit antik dhe për t’u ofruar vizitorëve një përvojë të paharrueshme.



